Në kuadër të angazhimit për ofrimin e një edukimi bashkëkohor dhe të ndërlidhur ngushtë me praktikën profesionale, studentët realizuan një vizitë studimore në Ekoparkun Solar të Gjakovës – parku më i madh solar në Republikën e Kosovës, me kapacitet të instaluar prej 24 MWp.

Vizita u organizua nën udhëheqjen e profesorëve Vehbi Sofiu, Nexhmi Krasniqi dhe Sami Gashi, duke dëshmuar përkushtimin e programit në zhvillimin profesional të studentëve përmes aktiviteteve praktike dhe njohjes direkte me teknologjitë moderne të energjisë së ripërtëritshme.
Studentët u pritën nga menaxheri i parkut, Jeton Dobruna, i cili prezantoi funksionimin e sistemit fotovoltaik, procesin e lidhjes së paneleve solare sipas stringjeve, konvertimin e energjisë nga DC në AC, si dhe transformimin e tensionit deri në nivelin 35 kV.
Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të shohin nga afër operimin dhe menaxhimin e një prej investimeve më të rëndësishme në fushën e energjisë së gjelbër në Kosovë, duke ndërlidhur njohuritë teorike me aplikimin praktik në terren. Diskutimet interaktive dhe interesimi i madh i studentëve e bënë aktivitetin veçanërisht të vlefshëm për ngritjen e kompetencave të tyre profesionale.
Vizita vazhdoi edhe në qendrën monitoruese dhe menaxhuese të parkut, ku studentët u njohën me sistemet moderne të kontrollit, monitorimit dhe mbrojtjes së instalimeve fotovoltaike.
Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e programit për t’u ofruar studentëve përgatitje cilësore, përvojë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me industrinë, duke i aftësuar ata për tregun modern të punës dhe sfidat e sektorit të energjisë së ripërtëritshme.
