UBT News

Vizita e Marta Kos në Prishtinë: BE kërkon stabilitet politik, Kurti insiston në statusin e kandidatit

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka zhvilluar vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë, ku ka përcjellë një mesazh të qartë për spektrin politik që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe për të formuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të qershorit. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kos u prit fillimisht nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe më pas zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, komisionarja Kos vuri theksin te rëndësia e stabilitetit të brendshëm për procesin e integrimit evropian. Ajo bëri një thirrje të qartë për të gjithë aktorët politikë që të gjejnë një mënyrë për të kthyer stabilitetin institucional dhe kërkoi që, pas formimit të Kuvendit të ri, liderët të bashkohen për të zgjedhur edhe presidentin e ri përmes kompromisit.

Kos vlerësoi se Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane dhe deklaroi se nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën. Megjithatë, ajo tërhoqi vërejtjen se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka krijuar një vit të humbur më 2025, duke ngadalësuar reformat kyçe dhe duke rënduar buxhetet shtetërore. Vizita e saj vjen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 7 qershor, të cilat janë të tretat me radhë që nga fillimi i vitit 2025.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi takimin si produktiv dhe të drejtpërdrejtë, duke e shfrytëzuar rastin për të ngritur sërish çështjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me bllokun.

Kurti kujtoi se kanë kaluar mbi 40 muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe se mbështetja publike për BE-në në vend qëndron vazhdimisht rreth 90%, duke qenë ndër më të lartat krahasuar me vendet e tjera. Ai po ashtu paralajmëroi se vakumi që lë Bashkimi Evropian në rajon synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeq që minojnë vlerat evropiane dhe rrezikojnë sigurinë e përbashkët, prandaj kërkoi që BE-ja të shtyjë përpara unitetin e brendshëm për avancimin e merituar të Kosovës.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat që nga aplikimi i saj më 15 dhjetor të vitit 2022. Përveç krizës së brendshme politike, një nga pengesat kryesore për përparimin e saj mbetet mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtetet anëtare të bllokut, që janë Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Kjo ishte vizita e parë e Marta Kosit në Kosovë që nga marrja e mandatit të saj në Komisionin Evropian më 1 dhjetor 2024. Që nga ajo kohë, ajo kishte vizituar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në procesin e zgjerimit, ndërsa mungesa e një vizite në Prishtinë gjatë vitit 2025 ishte arsyetuar nga zyrtarët evropianë me krizën politike dhe mungesën e institucioneve funksionale.

Exit mobile version