Edicioni i ardhshëm i Eurovisionit do të mbahet në qytetin zviceran të Baselit, raportoi transmetuesi publik SRG të premten. Kjo me qëllim që të ketë nxitje ekonomike nga qindra mijëra fansa që priten të dynden në restorantet, hotelet dhe baret e saj.
Finalja e këtij eventi, i cili këtë vit u përcoll nga 163 milionë shikues rreth botës, do të zhvillohet më 17 maj. Autoritetet thanë se eventi do të mbahet në St Jakobshalle të Baselit, vend ky që mund të akomodojë 12 mijë fansa të Eurovisionit.
Qeveria tha se do të paraqesë një propozim financimi te parlamenti i qytetit për 34.9 milionë franga zvicerane (41.2 milionë dollarë) për të paguar për ngjarjen./UBTNews/