Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pranuar gjatë interpelancës në Kuvendin e Kosovës se në Klinikën e Onkologjisë ka pasur mungesë të medikamentit “Palbociclib” gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, si dhe vonesa në furnizimin me disa barna të tjera esenciale.
Duke sqaruar situatën, Vitia bëri të ditur se “Palbociclib” ishte futur në Listën Esenciale në vitin 2025 me planifikim fillestar për 40 pacientë, por dyfishimi i kërkesave bëri që kontrata të shpenzohej në masën 130% brenda nëntë muajsh. Sipas tij, pamundësia për të hapur procedura të reja pa miratimin e buxhetit dhe dështimi i tenderit të parë për mungesë ofertuesish shtynë furnizimin deri më 18 gusht, pas lidhjes së kontratës së përshpejtuar më 30 korrik 2026.
Bilanci i mungesave dhe masat disiplinore
Ministri pranoi se furnizimi i sivjetshëm në Onkologji nuk ka qenë në nivelin e viteve 2024 dhe 2025, duke paraqitur të dhënat mbi shtrirjen e mungesave:
Palbociclib: Mungoi për gati 9 javë, duke prekur 70 pacientë (dy cikle trajtimi).
Bevacizumab (Avastin): Mungoi për rreth 13 javë, duke prekur 70 pacientë.
Bicalutamide: Mungoi për 12 javë, duke prekur rreth 70 pacientë.
Dabrafenib: Mungoi për 20 javë, duke prekur 12 pacientë.
Sorafenib: Mungesa preku 14 pacientë.
Si shkaqe kryesore ai përmendi mungesën e autorizimeve të marketingut dhe vonesat procedurale. Vitia njoftoi se pas një auditimi të brendshëm janë iniciuar procedura disiplinore ndaj zyrtarëve që nuk kanë reaguar me kohë, ndërsa shtoi se tashmë janë nënshkruar kontrata afatgjata për stabilizimin e furnizimit.
/E.A/
