Ylli i YouTube dhe rrjeteve tjera sociale, Vitaly Zdorovetskiy, ka paralajmëruar vizitën në kryeqytetin e Kosovës, pak ditë para se bashkë me “OneLife Rally” të përfshijnë Kosovën në hartën e vendeve që “do t’i pushtojnë”.
Në rrjete sociale, Vitaly ka ndarë një fotografi nga vizita e fundit që kishte bërë në Kosovë. Në të ka shkruar: “Prishtinë, shihemi së shpejti”.
Më 28 qershor, organizimi i njohur botëror “OneLife Rally”, do të vijë në Kosovë për të qëndruar deri më 29 qershor.
Lajmi qe konfirmuar nga grupi i njohur i entuziastëve të veturave në Kosovë, “Marakli t’Kerreve!”
“Dallimi është që herën e parë e kanë pasur vetëm një ‘checkpoint’, ndërsa kësaj radhe do të kalojnë një natë në Prishtinë. Është një arritje shumë e madhe dhe një mund i stafit të grupit ‘Marakli t’kerreve!’ që t’i bindim me futë Kosovën në listën e shteteve ku do të qëndrohet për një natë”, ka thënë Behar Cakiqi, një nga administratorët e grupit ‘Marakli t’kerreve!’
“OneLife Rally” është grupi i njohur që për shtatë ditë bën turne nëpër qytete të ndryshme të Ballkanit e Evropës. Në Kosovë ishte edhe më 2019.
Vitaly kishte qenë në Kosovë edhe herën e shkuar kur “OneLife Rally” vizitoi Kosovën. /KultPlus