Një violinë që dikur i përkiste njërës prej mendjeve më të mëdha në historinë e shkencës, Albert Ajnshtajnit, është shitur në ankand për 860 mijë paund.
Instrumenti, një violinë Zunterer e vitit 1894, besohet të ketë qenë violina e parë e Ajnshtajnit. Fillimisht ajo ishte vlerësuar me çmim rreth 300 mijë paund, por arriti të shitej për gati trefishin e shumës në ankandin e Dominic Winter Auctioneers në South Cerney, Gloucestershire.
Në të njëjtin ankand u shit edhe një libër filozofie, të cilin Ajnshtajni ia kishte dhuruar një miku, për 2.200 paund.
Të gjitha çmimet përfshijnë edhe një komision prej 26.4%, që do të thotë se çmimi përfundimtar i violinës i kalon 1 milion paundët.
Sipas ekspertëve, kjo shitje mund të vendosë një rekord të ri për një violinë që nuk i ka përkitur një muzikanti profesionist dhe që nuk është e prodhuar nga Stradivarius. Deri tani, rekordi mbahej nga një instrument që mendohet se ishte përdorur në anijen Titanik.
Specialisti Chris Albury e përshkroi ankandin, që zgjati vetëm 10 minuta, si një “moment të veçantë”.
“Kishim tre ofertues në telefon që garuan deri në fund,” – tha ai për BBC.
Ai shtoi se shumë njerëz nuk e dinin që Ajnshtajni ishte një adhurues i madh i muzikës.
“Ai shpesh thoshte se, nëse nuk do të ishte bërë shkencëtar, do të donte të ishte muzikant. Nisi të mësonte violinën në moshën katërvjeçare dhe luante çdo ditë,” – përfundoi Albury. /A.Z/UBT News/