Uebfaqja katalane “Vilaweb.cat” ka shkruar se si Spanja dje e ka zbuluar Kosovën.
Kjo uebfaqe ka shkruar se si tentimi i Qeverisë së Spanjës për të fshehur Kosovën, mund të ketë arritur efektin “Streisand”, pra e ka arritur qëllimin e kundërt, duke i dhënë më tepër publicitet Kosovës.
“Gjashtë minuta heshtje, dhe një melodi e panjohur: Spanja zbulon Kosovën”, ishte titulli i uebfaqes.
Kosova mbrëmë në Sevilla pësoi 3:1 nga Spanja në ndeshjen eliminatore për Botërorin 2022 në Katar.
Gjatë tërë kohës Spanja, që nuk e njeh Kosovën, është munduar të fsheh atë. Madje në transmetim në televizionin spanjoll shkurtesa për Kosovën, ishte shkruar me shkronja të vogla.
E perifrazimet si “Territori i Kosovës” apo “ekipi i Federatës së Futbollit të Kosovës” kanë qenë më të përsëriturat në televizionin spanjoll. Madje edhe në konferencën për media seleksionuesi i Spanjës, Luis Enrique, vetëm një herë përmendi Kosovën, duke iu referuar vazhdimisht si ekipi.
“Përpjekjet e hapura për të fshehur Kosovën para ndeshjes dhe gjatë ndeshjes së mbrëmshme në Sevilla ishin qesharake. ‘Territori i Kosovës’ dhe ‘Ekipi i Federatës së Futbollit të Kosovës’ ishin perifrazimet më të përsëritura në TVE. Ndeshja kishte një ngarkesë të fortë politike dhe kishte indikacione për të mos trajtuar ekipin kombëtar që luan kundër Spanjës si ekipet tjera. Por në fund, Qeveria e Spanjës ndoshta ka arritur efektin ‘Streisand’. Sa spektatorë e dinin pozitën politike të Spanjës karshi Kosovës para ndeshjes dhe sa e dinë në fund? Me siguri shumë tifozë e kanë kërkuar emrin Kosovë në Google”, ka shkruar “Vilaweb.cat”.
Ekonomisti Xavier Sala nga New Yorku e ka krahasuar refuzimin për të përmendur emrin e Kosovës me besimin e një fëmije se nëse i mbyll sytë, bota rreth tij do të ndalojë së ekzistuari.
Ndërkohë versioni katalan i Wikipedias, Viquipedia, ka njoftuar për një futje të re që i dedikohet flamurit të Kosovës.
E postimi i gazetarit madrilen Aitor Lagunas në Twitter, “Akronime me shkronja të vogla, çmenduri me shkronja të mëdha”, ku kishte postuar foto nga transmetimi në televizionin spanjoll, ku shiheshin akronimet e Spanjës të shkruara me të mëdha e të Kosovës të shkruara me shkronja të vogla, ka bërë bujë. Ka marrë mbi 3.400 “retweet” dhe 17.200 pëlqime.
“Cunami mediatik mbi Spanjën”, ka shkruar artisti kosovar Gani Jakupi, duke iu referuar shkrimeve të VilaWebit, e po ashtu postimi të gazetarit Aitor Lagunas.