Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi të mërkurën, më 28 prill, se nuk do të marrë pjesë në takimin e paralajmëruar për 11 maj nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Më herët, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës deklaruan se ende nuk kanë marrë një ftesë dhe as njoftim zyrtar nga Bashkimi Evropian për një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 26 prill ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të vazhdojë më 11 maj.
Njohësit e zhvillimeve politike, në Prishtinë dhe në Beograd, Jehona Lushaku-Sadriu dhe Dushan Janjiq, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me vazhdimin eventual të dialogut dhe nëse do të ketë qasje serioze të të gjitha palëve dhe faktorëve të përfshirë në këtë proces.
Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht deklaratave nga zyrtarë të Bashkimit Evropian se më 11 maj do të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi, Zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka marrë një ftesë dhe as njoftim zyrtar për një takim të tillë.
Sipas tij, datat, vendet dhe agjendat e takimeve “kanë kuptim vetëm kur merren vesh të gjitha palët dhe jo kur ato imponohen njëanshëm”.
Kërkesat për dialog dhe dy “non-paper” të hedhur poshtë
Më 20 prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në letrën që i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila “do të përqendrohej në njohjen reciproke”, por që “për arritjen e këtij qëllimi, kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira”.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i cili më 22 prill ka vizituar Prishtinën, ndërkaq një ditë më vonë edhe Beogradin, ka theksuar që Gjermania ofron mbështetje për dialogun Kosovë-Serbi dhe se një nga elementet e marrëveshjes do të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës. Megjithatë, ai ka kërkuar që “të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”.
Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.