UBT News

Vietnami kërkon nga Netflixi që ta heqë K-dramën “Little Women”

Vietnami ka kërkuar nga Netflix që të ndalojë shfaqjen e serialit dramë koreano-jugor “Little Women”, nën arsyetimin se seriali ka shtrembëruar ngjarjet e Luftës së Vietnamit, raportuan mediat e huaja të mërkurën.

Në episodin e tetë të dramës me 12 pjesë, i cili bazohet në romanin me të njëjtin emër nga Louisa May Alcott, një veteran lufte nga Koreja e Jugut mburret me vrasjet që i kreu.

Më shumë se 320 mijë koreano-jugorë u dërguan në Vietnam midis viteve 1964 dhe 1973 për të luftuar përkrah ushtarëve amerikanë. Ata janë përballur prej kohësh me akuza se kanë kryer vrasje masive të civilëve vietnamezë.

Në një letër dërguar Netflix-it, Autoriteti i Transmetimit dhe Informacionit Elektronik të Vietnamit tha se seriali shkel ligjin e vendit kundër “shtrembërimit të historisë, mohimit të arritjeve revolucionare, ofendimit të kombit dhe heronjve të kombit”.

Që nga viti 2020, Netflix ka hequr tre seri nga faqja e tij në Vietnam pasi ka marrë ankesa nga autoritetet lokale për “shkelje të sovranitetit të vendit”./UBTNews/

Exit mobile version