Dy vajza janë goditur nga një veturë teksa po kalonin në vijat e bardha të njohura si “Zebra” përballë stacionit policor “Qendra” në Prishtinë. Ngjarja ndodhi këtë të premte, më 11 tetor 2024, rreth orës 14:43, dhe incidenti është raportuar nga Ekonomia Online.
Sipas dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, vajzat mbetën të shtrira në rrugë pas përplasjes, ndërsa policia dhe kalimtarët u mobilizuan për t’u dhënë ndihmën e parë. Fotot nga vendngjarja tregojnë ekipet mjekësore të cilat po ofrojnë ndihmën emergjente për të lënduarat.
Policia e Kosovës ka ndërhyrë menjëherë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në zonën e aksidentit, derisa po kryhen procedurat hetimore dhe po sigurohet vendi i ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e sakta të incidentit.
Ende nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen shëndetësore të vajzave të aksidentuara, dhe pritet që autoritetet të japin detaje të mëtejshme pasi të përfundojnë ekzaminimet mjekësore dhe procedurat hetimore. Ky incident ka sjellë vëmendjen e opinionit publik, duke rikthyer shqetësimet rreth sigurisë së këmbësorëve në zonat me trafik të ngarkuar në kryeqytet./UBTNews/