UBT News

Vetëm 14 kuti votimi pa u numëruar, KQZ publikon rezultatet e fundit preliminare

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po shkon drejt përfundimit, ndërsa sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë mbetur edhe 14 kuti votimi pa u numëruar.

Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 42.91 për qind të votave. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.08 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës mban pozitën e tretë me 17.60 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7.17 për qind të votave, ndërsa Lista Serbe ka marrë 6.17 për qind.

Sipas platformës së rezultateve të KQZ-së, deri në momentin e publikimit të këtyre të dhënave janë numëruar 2,484 nga 2,498 kuti votimi, ose 99.44 për qind e vendvotimeve.

Me përfundimin e numërimit në shumicën dërrmuese të vendvotimeve, ndryshime të mëdha në renditjen e subjekteve politike nuk priten, megjithëse rezultatet mbeten preliminare deri në përmbylljen e plotë të procesit dhe shpalljen zyrtare nga KQZ-ja.

KQZ ka bërë të ditur se do të vazhdojë përditësimin e rezultateve në kohë reale deri në numërimin e plotë të të gjitha kutive të votimit, pas së cilës do të pasojnë procedurat për verifikimin dhe certifikimin e rezultateve zgjedhore.

Exit mobile version