Max Verstappen ka shprehur hapur shqetësimet e tij mbi krizën e Red Bull në Formula 1, duke vënë në dukje se situata aktuale e ekipit është shqetësuese dhe e papranueshme për të arritur sukses. Në një deklaratë të fortë, Verstappen tha se Red Bull ka kaluar tashmë 6 gara radhazi pa fitore dhe se kjo tendencë është e papranueshme për të ruajtur ambiciet për tituj.
“Lufta për titullin e konstruktorëve është ende e hapur, por të mendosh se e ke fituar titullin është diçka joreale. Situata po ikën nga kontrolli,” tha Verstappen. Në renditjen e konstruktorëve, Red Bull ka vetëm tetë pikë avantazh ndaj McLaren, ndërsa në renditjen e pilotëve, Verstappen mban ende një avantazh prej 62 pikësh ndaj Lando Norris.
Holandezi shprehu shqetësim të thellë për performancën e ekipit të tij, duke theksuar se problemet teknike dhe strategjike janë duke ndikuar negativisht në rezultatet e gara. “Dëmtim i kufizuar? Në njëfarë kuptimi po, por nuk më pëlqen ta shikoj kështu kampionatin. Ne duhet të përpiqemi të jemi arkitektët e fatit tonë, por sot kjo është ajo që kemi. Nuk më intereson se si jemi për momentin, jemi keq kudo. Kështu që ne kemi nevojë për shumë ndryshime,” shtoi Verstappen.
Ai përmendi gjithashtu një problem të vogël në Monza, ku ndjeu se nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte plotësisht fuqinë e motorit. Verstappen mendon se edhe nga pikëpamja strategjike, Red Bull mund të kishte bërë një punë më të mirë për të qenë më konkurrues. “Nuk do të ndryshonte pozicionin, por mendoj se ne nuk e kishim garën tonë optimale,” përfundoi ai.
Verstappen dhe Red Bull tani përballen me një periudhë sfiduese në kampionatin e Formula 1, dhe do të duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për të rikuperuar terrenin dhe për të ruajtur ambiciet e tyre për tituj./UBTNews/