Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, ka çelur një ekspozitë të veçantë titulluar “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo ekspozitë, e cila është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet që janë organizuar ndonjëherë nga kjo bibliotekë, paraqet rreth 600 libra dhe harta origjinale, të cilat janë të shtypura në Venecia në periudhën mes viteve 1400 dhe 1800. Pjesa më e madhe e këtyre veprave shfaqen për herë të parë para publikut.
Ekspozita është e ndarë në disa seksione, të cilat ilustrojnë historinë dhe ndikimin e Venecias në Europë dhe më gjerë. Seksioni i parë është dedikuar historisë së Venecias, e cila, si një prej qendrave më të rëndësishme të Rilindjes Europiane, luajti një rol të madh në shtypshkrimin europian gjatë periudhës mes shekullit të 15-të dhe 18-të. Aty prezantohen vepra të rralla, të botuara nga tipografët më të njohur venecianë, si Paolo Manuzio, Bernardino Benali dhe Girolamo Albrizzi, të cilët kontribuan në risjelljen e autorëve të antikitetit greko-romak dhe bizantin.
Seksioni i dytë përqendrohet në ndikimin e Venecias mbi Shqipërinë dhe Greqinë. Këtu ekspozohen disa prej dëshmive më të hershme të shqipes së shkruar, përfshirë ato të Buzukut dhe Bogdanit. Venecia, gjithashtu, ishte vendi ku u botuan shumë vepra të njohura që trajtonin historinë e Shqipërisë dhe figurën e Skënderbeut, duke filluar nga autorë si Barleti, Marin Beçikemi dhe Dhimitër Frangu. Ky seksion përmban gjithashtu një koleksion hartash origjinale që ilustrojnë qytetet shqiptare dhe zhvillimet historike në rajon.
Një seksion i veçantë është dedikuar marrëdhënieve ndërmjet Venedikut dhe Orientit, ku luftërat kundër Perandorisë Osmane zënë një vend të rëndësishëm. Këto vepra ofrojnë informacion të çmuar për historinë e shqiptarëve dhe për ndikimin e konflikteve në zhvillimet e mëvonshme.
Venecianët njihen për kontributet e tyre si udhëtarë dhe gjeografë, ndaj një seksion i veçantë është dedikuar eksplorimeve të tyre. Dy seksionet e fundit përqendrohen në botimet që lidhen me shkencën, letërsinë dhe fenë, duke reflektuar diversitetin e dijes që ka rrjedhur nga këto tradita kulturore. Ekspozita mbyllet me një hapësirë kushtuar botimeve më të reja që trajtojnë marrëdhëniet historike të shqiptarëve me Venecian.
Ekspozita vjen nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një nga bibliotekat më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë. Kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar pasurinë e trashëgimisë kulturore mes Shqipërisë dhe Venecias, duke theksuar lidhjet e thella historike që kanë formuar identitetin e të dyja vendeve./UBTNews/