UBT News

Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Podujevë

Në fshatin Livadicë të Komunës së Podujevës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Parkut Industrial, një projekt i financuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në vlerë prej 3.1 milionë eurosh.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi përkushtimin për transformimin e ekonomisë dhe fuqizimin e sipërmarrjes vendore.

“Synimi ynë si Qeveri është ta transformojmë ekonominë e Kosovës, ta forcojmë prodhimin vendor dhe të krijojmë sa më shumë produkte në lloje dhe në numër ‘Made in Kosova’, ashtu që jo vetëm t’i zëvendësojmë importet, por edhe të rrisim eksportet në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh Kurti.

Ai shtoi se parqet industriale u shërbejnë bizneseve për zgjerim, diasporës për investim të kapitalit dhe investitorëve të huaj për zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, duke hapur më shumë vende pune dhe mundësi për të rinjtë.

Nga ana tjetër, ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të infrastrukturës industriale për t’i bërë ballë deficitit tregtar.

“Është fakt i fortë se ekonomia e Kosovës që nga viti 2019 është dyfishuar, shërbimet tona kanë arritur eksportin deri në 4 miliardë euro, ndërsa ende kemi sfidë me deficitin tregtar të produkteve. Prandaj, për ne është tepër e rëndësishme që infrastrukturën industriale ta zhvillojmë, të ofrojmë mundësi të punës dhe prodhimit në Republikën e Kosovës dhe aktualisht ministria është duke u angazhuar në aktivizimin e 16 zonave industriale”.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e cilësoi këtë nismë si projektin ekonomik më të rëndësishëm për komunën, duke theksuar se realizimi i tij mbyll një mungesë shumëvjeçare të hapësirave të tilla për komunitetin e bizneseve në rajonin e Llapit. /E.A/

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version