Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e, të parashtruara nga deputeti Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë së re, ndërsa ka përcaktuar afate strikte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Në vendimin e marrë me vota unanime më 23 shtator 2026, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zgjedhja e ekzekutivit është kryer në përputhje me aktin më të lartë juridik të vendit.
“Vendimi [Nr. 11-V-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykimit.
Pavarësisht legjitimimit të Qeverisë, Gjykata vërejti se Kuvendi është konstituuar pas kalimit të afatit të paraparë 30-ditor (Neni 66, paragrafi 1), gjë që automatikisht ka vënë në lëvizje afatet kushtetuese për postin vakant të Presidentit.
Lidhur me këtë proces sovran, Kushtetuesja ka caktuar një datë të prerë për përmbylljen e tij:
“Afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, nënvizon Gjykata në pikën VI.
Gjithashtu, aktgjykimi i obligon deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë të zgjedhin Nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në përputhje me nenin 67 të Kushtetutës. Kërkesa e parashtruesve për caktimin e masës së përkohshme është refuzuar, ndërsa vendimi hyn në fuqi menjëherë në ditën e publikimit zyrtar. /E.A/
