UBT News

Vedat Muriqi rikthehet te Fenerbahçe, marrëveshja e mbyllur për 15 milionë euro

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe, pasi marrëveshja mes klubit turk dhe RCD Mallorca konsiderohet e përfunduar.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, i cili ka njoftuar se Fenerbahçe ka arritur marrëveshje me Mallorcan për transferimin e sulmuesit kosovar për shumën prej 15 milionë eurosh.

“Marrëveshja është arritur për 15 milionë euro me Mallorcan, pasi Muriqi ishte një nga objektivat kryesorë të presidentit të ri të klubit. Lojtari ka pranuar kushtet personale me Fenerbahçen dhe është gati t’i bashkohet skuadrës. Kanë mbetur vetëm disa procedura formale. Marrëveshja është e kryer”, ka shkruar Romano.

Për 32-vjeçarin, ky transferim shënon një rikthim në Stamboll, pasi ai kishte veshur fanellën e Fenerbahçes gjatë sezonit 2019/20, para se të transferohej te Lazio.

Muriqi vjen pas një sezoni të shkëlqyer në elitën e futbollit spanjoll. Në edicionin e kaluar të La Ligës ai realizoi 23 gola, duke u renditur si golashënuesi i dytë më i mirë i kampionatit, pas Kylian Mbappé, i cili shënoi 50 gola.

Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të tij mbresëlënëse, Mallorca nuk arriti të siguronte mbijetesën në La Liga dhe ra në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Rikthimi i Muriqit te Fenerbahçe pritet të zyrtarizohet së shpejti, pasi të përfundohen detajet e fundit administrative të transferimit.

D.L

Exit mobile version