Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha. Lajmin e kanë konfirmuar bashkëpunëtorët e saj.
Siç mësohet, ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar, ka vdekur në ambientet e Ministrisë së Kulturës.
Regjisorja Berisha u lind në Shkup, ndërsa shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prishtinë. Studimet për regji filmi i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.
Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.
Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës./UBTNews