UBT News

Vdiq akademiku dhe shkrimtari Luan Starova

Dje në orët e pasdites ka vdekur në moshën 81-vjeçare akademiku Luan Starova. Njoftimin e ka bërë vajza e tij, Blerina Starova përmes një postimi në Facebook.

“Na le pa fjalë dhe me kujtime të paharrueshme babi. Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot ndërroi jetë gjyshi, bashkëshorti dhe babai ynë Luan Starova. Varrimi do të jetë nesër më 25.02.2022 në varrezat në Butel, ndërsa falja në Xhaminë e Çairit në Namazin e Xhumasë. Për shkak të pandemisë, nuk do të ketë pritje në shtëpi”, ishte shkrimi i saj.

Luan Starova ka lindur në Pogradec të Shqipërisë në vitin 1941. Ishte student i gjuhës dhe letërsisë frënge, ai punoi një kohë si gazetar. Ai më vonë ka punuar si profesor i rregullt në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, ishte ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe ishte anëtar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli.

Ai ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me ese dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht.

Disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Ai po ashtu renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë dhe është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë./UBTNews/

Exit mobile version