Me pikëllim të thellë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar ndarjen nga jeta të Shirin Hyseini, kryetare e Federatës së Peshëngritjes së Kosovës. Ajo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë një boshllëk të madh në botën e sportit kosovar.
Shirin Hyseini ishte një nga themeluese të Federatës së Peshëngritjes, ku luajti një rol kyç në zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. Kontributi i saj nuk u kufizua vetëm në peshëngritje; ajo gjithashtu ishte një figurë e njohur në basketboll, duke shërbyer si kryetare e Klubit të Basketbollit Universiteti Femrat në periudhën e arritjeve të mëdha për klubin dhe sportin e basketbollit në vend.
Njoftimi i plotë nga Komiteti Olimpik i Kosovës thekson se Shirin Hyseini ishte një inspirim për shumë vajza, duke treguar se si puna dhe përkushtimi çojnë në sukses.
“Vdekja e saj do të lërë një boshllëk në sportin tonë, veçanërisht tek vajzat”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
KOK-i shpreh ngushëllimet më të thella në emër të Bordit Ekzekutiv dhe të gjithë lëvizjes olimpike në vend, duke i dërguar ngushëllime familjes Hyseini, Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, miqve dhe dashamirësve të sportit.
Shirin Hyseini do të kujtohet gjithmonë për pasionin dhe përkushtimin e saj ndaj sportit, si dhe për ndikimin e saj pozitiv në jetët e shumë sportisteve./UBTNews/