Një 26-vjeçare me inicialet B. H. ka humbur jetën në orët e para të së hënës në Prizren, pasi gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar papritur gjatë intervistimit nga hetuesit policorë.
Sipas të dhënave fillestare, e reja po intervistohej nga zyrtarët e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kur i është keqësuar gjendja. Pas kërkimit të ndihmës, ekipi i urgjencës i ka dhënë trajtimin e parë mjekësor dhe e ka dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Megjithatë, ajo ka ndërruar jetë pak minuta pas pranimit në spital, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 01:30.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë rajonale të hetimeve dhe kriminalistika për të dokumentuar rastin. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur shkakun dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje. /E.A/
