UBT News

Vdes në moshën 76-vjeçare Flora Brovina

Lajm i plotësuar:

Ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare aktivistja e shquar për të drejtat e njeriut, poetja, pediatrja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina.

Flora Brovina u lind në Skenderaj dhe kreu shkollimin e mesëm në Prishtinë, ndërsa studimet për mjekësi i ndoqi mes Beogradit dhe Prishtinës. Specializimin në fushën e pediatrisë e përfundoi në Zagreb. Para se t’i përkushtohej mjekësisë, ajo punoi edhe si gazetare në të përditshmen “Rilindja”.

Gjatë viteve të vështira të dekadës së ’90-ta, Brovina u shqua për angazhimin e saj humanitar dhe shoqëror. Në vitin 1992 ajo themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave.

Më 20 prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, ajo u rrëmbye nga banesa e saj nga paramilitarët serbë dhe u dërgua në burgun e Pozharevcit në Serbi, ku u dënua me 12 vjet burgim politik. Pas një presioni të madh ndërkombëtar, ajo u lirua në nëntor të vitit 2000, për t’u kthyer në Kosovë ku vazhdoi pa ndërprerë veprimtarinë humanitare dhe politike.

Përveç mjekësisë dhe politikës, Flora Brovina la gjurmë të thella edhe në letrat shqipe si poete dhe kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ajo botoi disa përmbledhje me poezi, ndër të cilat shquhen “Verma emrin tim” (1973), “Bimë e zë” (1979) dhe “Mat e çmat” (1995), ndërsa krijimtaria e saj poetike është përfshirë në antologji të ndryshme dhe është përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Në jetën politike pasluftës, Brovina shërbeu për disa legjislatura si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Aktivistja kosovare për të drejtat e njeriut dhe poetja Flora Brovina (djathtas) del nga Gjykata e Qarkut, e shoqëruar nga një roje, në qytetin e Nishit në Serbinë qendrore, më 14 shtator 2000. Brovina ishte dënuar nga një gjykatë e shkallës më të ulët me 12 vjet burgim për ndihmë të pretenduar ndaj “terroristëve” gjatë konfliktit në Kosovë, por Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e çështjes.

Reuters

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe poetja nga Kosova, Flora Brovina, qëndron në një furgon policie ndërsa largohet nga Gjykata e Qarkut në qytetin e Nishit, në Serbinë qendrore, më 14 shtator 2000. Brovina ishte dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë me 12 vjet burgim për ndihmë të pretenduar ndaj “terroristëve” gjatë konfliktit në Kosovë, por Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi një gjykim të ri.

 

Exit mobile version