Paolo Rossi, ylli i ekipit kombëtar të Italisë që e fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, ka vdekur sot në moshën 64-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur në orët e hershme të ditës së enjte nga televizioni italian RAI Sport, për të cilin Rossi po punonte si ekspert futbolli, transmeton Gazeta Express.
“Lajm shumë i trishtueshëm: Paolo Rossi na ka lënë”, shkroi prezantuesi i RAI Sport Enrico Varriale.
Bashkëshortja e Rossit, Cappeletti Federica, e postoi një fotografi të vetes dhe të bashkëshortit në Instagram, me mbishkrimin “per sempre” – “përgjithmonë”.
Ajo nuk e ka bërë të ditur shkaktarin e vdekjes së tij.
Ish-lojtari i Juventusit dhe Milan njihej si njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohëve dhe më i famshëm për lojën heroik në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.