Kitaristi britanik i rock-ut, John Sykes, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të vështirë me kancerin, raporton BBC. Lajmi i trishtë u njoftua përmes një deklarate në faqen e tij të internetit, ku thuhej se ai “u nda nga jeta pas një periudhe të vështirë shëndetësore”.
Në njoftim theksohej se Sykes ishte një “burrë i kujdesshëm, i sjellshëm dhe karizmatik”, dhe gjatë ditëve të tij të fundit ai shprehu një dashuri dhe mirënjohje të sinqertë për fansat e tij, të cilët e mbështetën gjatë gjithë karrierës së tij.
John Sykes është një nga emrat më të njohur të muzikës rock, dhe ishte pjesë e dy albumeve të njohura të grupit Whitesnake, ku ai bashkë-shkroi disa nga këngët më të famshme të grupit, përfshirë hitet “Still Of The Night” dhe “Is This Love”. Kontributi i tij në muzikën rock është i paharrueshëm, dhe ndikimi i tij është ndjerë nga shumë artistë dhe fansa gjithandej botës.
Sykes e filloi karrierën e tij muzikore në vitin 1980 me grupin heavy metal Tygers Of Pan Tang, ku ai regjistroi dy albume përpara se të bashkohej me Thin Lizzy në vitin 1982. Megjithatë, kulmi i karrierës së tij erdhi në vitin 1984, kur ai u bashkua me Whitesnake me ftesë të themeluesit dhe frontmanit David Coverdale. Kontributi i tij në albumet e grupit ishte i jashtëzakonshëm, veçanërisht në albumin Slide It In dhe albumin e titulluar thjesht 1987, i cili u bë një sukses kritik dhe komercial, duke siguruar një vend të qëndrueshëm në historinë e rock-ut.
Lajmi i vdekjes së John Sykes ka trishtuar shumë fansa të muzikës rock dhe kolegë të tij. Kitaristi i Guns N’ Roses, Slash, ndau një foto të Sykes duke performuar dhe thjesht shkroi: “RIP”.
Karriera e John Sykes do të mbahet mend për ndikimin e tij të fuqishëm në skenën muzikore dhe për krijimin e disa nga këngët më të dashura të muzikës rock./UBTNews/