Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.
Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.
Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.
Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.
Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.
