Glen De Boeck, ish-mbrojtësi i njohur belg dhe kapiten i Anderlechtit, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pasi pësoi një hemorragji të rëndë në tru që e la në koma për tre ditë, dhe pavarësisht ndërhyrjeve të mjekëve, nuk mundi të shpëtonte.
De Boeck u rrëzua në shtëpinë e tij të premten dhe u dërgua menjëherë në Spitalin Universitar të Antwerpit, ku ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët.
Ai lë pas dy vajzat e tij, Bo dhe Caro.
Karriera e De Boeck filloi te FC Boom, për të vazhduar te KV Mechelen dhe më pas te Anderlecht, ku mbajti shiritin e kapitenit dhe fitoi tre tituj të kampionatit. Ai u vlerësua si një nga mbrojtësit më të fortë belgë të brezit të tij dhe luajti 36 ndeshje me ekipin kombëtar të Belgjikës.
Lëndimet e rënda në gju e detyruan të tërhiqej nga futbolli në vitin 2005.
Pas pensionimit, ai u angazhua si trajner, duke punuar në disa klube belgë dhe holandeze. Vdekja e tij vjen pas një viti të vështirë për familjen, pasi edhe babai i tij ndërroi jetë më herët gjatë 2025-ës. Futbolli belg ka humbur një prej figurave të tij më të respektuara./S.K/KP/
