UBT News

Vdekja e pjesëtares së policisë në Gjilan, dalin detajet e para

Një zyrtare policore rreth moshës 50-vjeçare është gjetur e vdekur pasditen e sotme në varrezat e qytetit në Gjilan.

Pranë trupit të pajetë, ekipet hetuese kanë gjetur edhe një armë zjarri. Ky rast është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ku trupi i së ndjerës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga vendi i ngjarjes, zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha se ky rast ka ndodhur rreth orës 16:00.

“Diku rreth orës 16:00, Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar për këtë rast. Njësitet Policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është thirrur mjeku kujdestar që fatkeqësisht vetëm e ka konstatuar vdekjen e një personi femër që më vonë u vërtetua se është pjesëtare e Policisë së Kosovës. Dhe është thirrur prokurori i shtetit”, ka thënë Hashani.

Shefi i hetimeve rajonale, nënkolonel Remzi Azemi theksoi se kanë njoftuar familjarët e të ndjerës, ku edhe Policia do të qëndrojë pranë tyre.

“Mund ta konfirmoj që zyrtarja në fjalë ka qenë në marrëdhënie të rregullta pune dhe ka punuar pranë Drejtorisë Regjionale në Gjilan… Ende ne jemi në vendin e ngjarjes, jemi në fazën e parë të hetimeve. Trupi është gjetur i pajetë dhe mund të konfirmojmë se në afërsi të saj është gjetur një armë zjarr. Prokurori për Krime të Rënda në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësitë e Hetimeve Rajonale rastin jemi duke e trajtuar si vdekje e dyshuar. Të gjitha veprimet hetimore nga ana e prokurorit, forensikës janë marrë në vendi e ngjarjes. Dhe trupi i pajetë me urdhër të prokurorit është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku do të kryhet obduksioni me trupin e saj”, ka thënë ai.

Derisa është pyetur se a ka qenë e ndjera në orar të punës, Azemi theksoi se ka qenë në marrëdhënie të rregullta të punës në Policinë e Kosovës.

Exit mobile version