Ekipet e shpëtimit po kërkojnë përmes rrënojave në një garë me kohën për të shpëtuar jetë, pasi dy tërmete të fuqishme goditën Venezuelën pranë kryeqytetit, duke vrarë të paktën 235 njerëz dhe duke plagosur të paktën 4,300 të tjerë.
Në Karakas dhe në qytetin bregdetar pranë tij, La Guaira, njerëzit dëgjoheshin duke kërkuar ndihmë nga nën rrënojat e ndërtesave të shembur, siç raporton BBC.
Tërmeti i parë me magnitudë 7.2 u pasua pak sekonda më vonë nga një tjetër edhe më i fuqishëm, me magnitudë 7.5, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS). Të dy tërmetet ndodhën afër sipërfaqes, gjë që e bëri shkatërrimin edhe më të rëndë.
Frikësohet se numri i të vdekurve është shumë më i lartë, ndërsa të tjerë kanë mbetur të pastrehë ose janë shumë të frikësuar për të qëndruar në ndërtesat e dëmtuara dhe të pasigurta, duke fjetur në rrugë pas katastrofës.
Tërmetet goditën në orën 18:04 sipas kohës lokale (22:04 GMT) të mërkurën – një ditë feste kombëtare në Venezuelë, që do të thotë se më shumë njerëz ndodheshin në shtëpi sesa në një ditë të zakonshme pune.
Të dy tërmetet ishin të cekëta – i pari me qendër 20.3 km nën sipërfaqe dhe i dyti në një thellësi prej 10 km, sipas USGS.
Jorge Rodríguez, presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, raportoi të enjten se numri i të vdekurve kishte pësuar rritje, pasi Presidentja e përkohshme e vendit, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Disa vende kanë premtuar ndihmë për përpjekjet e shpëtimit, ku SHBA-ja ka premtuar 150 milionë dollarë ndihmë. Ushtria e SHBA-së po dërgon anije transporti dhe avionë për të mbështetur ekipet e kërkim-shpëtimit dhe “operacionet e ndihmës së shpejtë”, thuhet në një deklaratë.
Jorge Rodríguez tha se 250 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, kryesisht në La Guaira, ku BBC verifikoi pamjet e një hoteli 10-katësh të kthyer në gërmadhë. Të enjten, njerëzit po kërkonin të afërmit e tyre atje.
Juan Ortiz tha për BBC se një nga miqtë e tij të ngushtë ishte konfirmuar i vdekur, një tjetër besohej se ndodhej nën rrënoja, dhe rreth 20 persona që ai njihte e që jetonin në zonën bregdetare ishin të zhdukur.
“Jam në shok dhe i konfuzuar, dhe i frustruar që nuk mund të ndihmoj,” tha studenti i mjekësisë në Karakas.
Ndërtesa u shembën gjithashtu edhe në kryeqytet, tha Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, ndërsa u prekën edhe rajonet Trujillo, Yaracuy, Carabobo, Aragua dhe Miranda.
Kryebashkiaku Gustavo Duque i Chacao-s, pjesë e zonës së madhe metropolitane të Karakasit, tha të enjten jashtë një ndërtese të shkatërruar se 11 persona kishin vdekur atje dhe 23 ishin shpëtuar.
Në një video-përditësim të postuar në rrjetet sociale, ai tha se ekipi po përpiqej të pastronte rrënojat në mënyrë që specialistët të mund të hynin “për të arritur te njerëzit që shpresojmë se janë ende gjallë”. /BBC/ /E.A/
