Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar sërish rënie, duke reflektuar lëvizjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Sipas çmimeve të publikuara të shtunën nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), nafta do të tregtohet me 1.40 euro për litër, tre centë më lirë krahasuar me një ditë më parë. Edhe benzina ka pësuar ulje prej dy centësh, duke arritur në 1.33 euro për litër, ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar në 0.67 euro për litër.
Rënia e çmimeve vjen pas uljes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Vetëm pak javë më parë, derivatet në Kosovë kishin shënuar rritje të ndjeshme pas përshkallëzimit të tensioneve mes Iranit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit, me çmimin e naftës që ishte rritur për rreth 20 centë për litër brenda dy ditësh.
Megjithatë, armëpushimi i arritur më 18 qershor mes Iranit dhe SHBA-së ka ndikuar në stabilizimin e tregjeve ndërkombëtare dhe në uljen e çmimit të naftës, zhvillim që po reflektohet gradualisht edhe në tregun kosovar të derivateve. /E.A/
