Ka vijuar me sukses dita e dytë e Akademisë Verore në Shkencat Mjekësore 2026, një ngjarje e organizuar me qëllim avancimin e njohurive profesionale dhe shkencore të pjesëmarrësve.
Gjatë kësaj dite, ligjëratat u mbajtën nga Prof. Dr. Antigona Sadikaj, e cila trajtoi dy tema me rëndësi të veçantë në diagnostikimin modern të kancerit të gjirit. Ligjërata e parë iu kushtua rolit të mamografisë si metodë kyçe diagnostikuese dhe parandaluese, duke theksuar rëndësinë e skriningut në zbulimin e hershëm të ndryshimeve malinje – çka rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.
Më tej u trajtua roli i rezonancës magnetike (MRI) në imazherinë e gjirit, ku u prezantuan përparësitë e kësaj metode në vlerësimin e rasteve komplekse, identifikimin e lezioneve të fshehura dhe planifikimin më të saktë të trajtimit mjekësor.
Përmes prezantimeve të bazuara në evidenca shkencore dhe diskutimeve interaktive, pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi përdorimin e metodave bashkëkohore imazherike për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Akademia Verore në Shkencat Mjekësore po dëshmon rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm profesional, duke krijuar një hapësirë të shkëlqyer akademike për shkëmbimin e përvojave, ndjekjen e trendeve të fundit shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.
