Policia e Kosovës, në bashkëpunim me njësi të shumta kërkim-shpëtimi dhe qytetarë vullnetarë, po zhvillon një operacion intensiv për gjetjen e Alush (Vesel) Kastratit, i cili rezulton i zhdukur që nga data 7 mars 2026.
Viktima është parë për herë të fundit në fshatin Zatriq të komunës së Rahovecit, dhe që nga ai moment, autoritetet kanë aktivizuar të gjitha strukturat relevante për lokalizimin e tij.
Operacioni i kërkimit është shtrirë në një perimetër të gjerë, duke përfshirë zona të vështira malore dhe hapësira përreth fshatit. Në terren janë angazhuar njësi të specializuara të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Njësia për Reagim të Shpejtë, si dhe njësi me dronë për monitorim nga ajri dhe njësia K9 me qen kërkues.
Përveç forcave policore, në këtë aksion humanitar janë përfshirë edhe Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së, zjarrfikësit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, si dhe një numër i madh i qytetarëve vullnetarë.
Mbështetje në koordinimin e institucioneve lokale dhe komunitetit ka ofruar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, duke u solidarizuar me familjen dhe ekipet në terren.
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që po kontribuojnë në këtë operacion, ndërkohë që kërkimet po vazhdojnë me intensitet të lartë në shpresë për gjetjen e sa mëparshme të personit të zhdukur.
