Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka njoftuar sot përmes një komunikate që ekipet kombëtare të Kosovës në basketbollin 3×3 do të marrin pjesë në kualifikimet për FIBA Euro Cup 3×3, që zhvillohen në Qipro në fundjavën e parë të qershorit.
FBK do të vazhdojë edhe në këtë vit të organizojë turne selektiv, duke inkurajuar ekipet më cilësore të marrin pjesë, ndërsa rezultatet e turneut do të shërbejnë si bazë për selektimin ekipit kombëtar të 3×3.
Turneu selektiv do të zhvillohet në fundjavën e dytë të muajit maj, ndërkaq edhe këtë vit do të kërkohet që lojtarët të kenë profile të vërtetuara në platformën zyrtare të FIBA-s për 3×3, përcjell KosovaPress.
“Datat e sakta dhe kushtet e lajmërimit të lojtarëve dhe ekipeve do ti publikojmë ditëve të ardhshme, por kusht themelor është që lojtarët që vijnë në turne, të kenë profile të vërtetuara në FIBA”, tha koordinatori i FBK-së për 3×3 Leart Hoxha.
“Pas përfundimit të turneut, FBK do të paraqesë deri në 6 lojtarë fillimisht për licencim në FIBA dhe më pas do të vendosim për katërshen definitive që do të përfaqësojë Kosovën në kualifikime për FIBA Europe Cup 3×3”, shtoi më tej Hoxha.
Vitin e kaluar në kualifikime për FIBA Europe Cup 3×3, që janë zhvilluar në Constanta të Rumanisë, Kosovën tek meshkujt e kanë përfaqësuar Bardh Rexha, Admir Mullabazi, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena.
Tek femrat për Kosovën janë paraqitur Arbnore Përquku, Diedona Halitaj, Saranda Daci dhe Marigona Rushiti.