UBT News

Vazhdon e rritet interesimi i qytetarëve në Preshevë e Bujanoc për vaksinim kundër COVID-19

Janë bërë tre muaj që prej kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër pandemisë COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Serbisë, duke përfshirë edhe dy komunat në jug të saj, që përbëhen me shumicë nga popullsia shqiptare, Preshevën dhe Bujanocin.

Fillimisht nga 8 deri me 28 janar, janë vaksinuar personat mbi moshën 65-vjeçare dhe stafi mjekësor, ndërsa nga 28 janari ka filluar vaksinimi masiv. Sipas, drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Driton Salihu, kjo komunë bënë pjesë në mesin e pesë komunave me numrin më të lartë të të vaksinuarve në Serbi, të personave mbi moshën 65-vjeçare.

“Ecuria dhe numri i të vaksinuarve në Komunën e Preshevës pothuajse është i ngjashëm me Komunën e Bujanocit, derisa në Preshevë janë dhënë 6 mijë e 500 doza, në Bujanoc janë̈ dhënë 5 mijë e 990 doza. Komuna e Preshevës është në top pesë komunat në tërë Serbinë̈ për numrin e të vaksinuarve për persona me moshë mbi 65 vjeç”, ka thënë Salihu.

Nga 6 mijë e 500 dozat e dhëna në Preshevë, 4 mijë e 173 persona kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës, ndërsa 2 mijë e 312 të tjerë, kanë marrë edhe dozën e dytë. Salihu ka thënë se interesimi i qytetarëve preshevarë ka filluar të rritet, sidomos pas informatave se me vaksinim mund të udhëtohet më lehtë në shtetet e Evropës.

“Jemi optimist që brenda dy muajve do të krijojmë imunitet kolektiv, që do të na lirojë nga kjo situatë e rënduar psikologjike, shëndetësore dhe ekonomike”, është shprehur Salihu.

Sa i përket Komunës së Bujanocit, doktoresha në Shtëpinë e Shëndetit, Afërdita Mustafa ka treguar se qytetarët janë duke iu përgjigjur në numër të madh interesimit për t’u vaksinuar.

“Interesimi i qytetarëve është i madh për t’u vaksinuar. Ne deri më sot, i kemi pasur katër lloje të vaksinave: Pfizer, AstraZeneca, Sinofarm (kineze) dhe Sputnik (ruse). Interesimi i shqiptarëve është më i madh për Pfizer, ndërsa i nacionaliteve tjera për Sinofarm dhe Sputnik”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas të dhënave nga Shtëpia e Shëndetit, në këtë komunë janë vaksinuar 5 mijë e 990 persona, 3 mijë e 622 prej tyre kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës, ndërsa 2 mijë e 368 kanë pranuar edhe dozën e dytë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Serbia deri më sot ka arritur të vaksinojë mbi 2 milionë persona me dozën e parë të vaksinës, ndërsa mbi 1 milion kanë marrë edhe dozën e dytë. Është ndër shtetet me më së shumti qytetar të vaksinuar kundër virusit korona në Evropë dhe në botë për kokë banori. Duke iu referuar medieve nga Beogradi, ato bëjnë të ditur se nëpër pika të kryeqytetit të Serbisë, Beograd, ka filluar edhe vaksinimi i qytetarëve të huaj, të cilët vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut si dhe Shqipëria. Në javën e kaluar kryeministrja, Ana Bërnabiq, është ndjerë krenare me prezencën e disa stjuardesave të një kompanie shqiptare në Beograd që kishin interesim për t’u vaksinuar.

“Pamja më simpatike ishte kur stjuardesat me uniforma të linjës ajrore shqiptare erdhën në Beograd për vaksinim”, ka deklaruar Bërnabiq, citojnë mediet serbe.

Nga fillimi i pandemisë COVID-19 deri më sot, sipas të dhënave nga Shtëpia e Shëndetit në Preshevë, janë regjistruar 1 mijë e 268 raste pozitive, ndërsa në Bujanoc 2 mijë e 332 raste. Përderisa numri i të vdekurve i personave të prekur edhe me këtë virus nuk dihet në përgjithësi, për shkak që Spitalet rajonale nuk u japin raporte Shtëpive të Shëndetit në Preshevë dhe Bujanoc. Sipas një statistike të dhënë nga Spitali i Vranjës, nga fillimi i pandemisë kanë vdekur 50 persona, 26 nga Bujanoci dhe 24 nga Presheva./UBTNews

(Autor i tekstit është Driton Hyseni, student i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version