Po vazhdojnë punimet për restaurimin e shkollës së vjetër të fshatit Mushnikovë në Prizren, një objekt me rëndësi të veçantë historike, arkitekturore dhe arsimore.
E ndërtuar në vitin 1905, kjo shkollë konsiderohet një nga shembujt e rrallë të objekteve shkollore rurale të fillimit të shekullit XX, duke ruajtur gjurmë të zhvillimit të arsimit dhe jetës së komunitetit ndër vite.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se punimet për restaurimin e objektit po vazhdojnë me qëllim të ruajtjes së vlerave historike dhe arkitekturore të tij.
Përmes këtij projekti synohet të ruhet një pjesë e rëndësishme e historisë së Mushnikovës dhe të mbrohet një objekt që dëshmon për traditën e arsimit dhe zhvillimin e jetës shoqërore në këtë zonë.
Restaurimi i shkollës së vjetër është pjesë e përpjekjeve për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës./A.K/
