Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së edhe sot do vazhdojnë punimet e Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), ngjarja më e madhe ndërkombëtare e këtij fusha që po mbahet për herë të parë në Kosovë.
Dita e sotme po shoqërohet me sesione të ngjeshura tematike, ku ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, akademikë e profesionistë po paraqesin punimet dhe hulumtimet e tyre. Diskutimet kryesore po përqendrohen në transformimin e menaxhimit të cilësisë në epokën e Inteligjencës Artificiale, ruajtjen e besimit institucional, inovacionin e qëndrueshëm dhe integrimin e vlerave njerëzore në zhvillimin teknologjik.
Kjo ngjarje pason hapjen zyrtare nga Rektori i UBT-së Edmond Hajrizi, njëherësh edhe Zëvendëspresident i EOQ-së, i cili u shpreh se cilësia duhet të transformohet nga një koncept tradicional certifikimi në një forcë strategjike për zhvillim e inovacion.
“Cilësia duhet të bëhet një kapacitet strategjik dhe të mbetet e lidhur ngushtë me vlerat njerëzore, sepse përparimi teknologjik pa besim është i brishtë, ndërsa inovacioni pa përgjegjësi është i paplotë,” theksoi Rektori Hajrizi.
Punimet e kongresit do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës me panele diskutimi dhe tryeza të rrumbullakëta, duke shërbyer si një platformë kyçe për shkëmbimin e përvojave evropiane dhe avancimin e standardeve të cilësisë në Kosovë e më gjerë.
