Mobilizimi qytetar pas vrasjes së Arlinda Zekajt do të vijojë edhe ditën e sotme në Prishtinë, ku prej orës 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” është paralajmëruar mbajtja e protestës për të tetën ditë me radhë.
Aktiviteti i organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist synon të rrisë presionin ndaj autoriteteve për përgjegjësi institucionale, me kërkesën kryesore që femicidi të shpallet urgjencë kombëtare.
Ndër kërkesat e qarta të protestuesve janë:
Shkarkimi i zyrtarëve përgjegjës: Dorëheqja ose shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Hetim dhe llogaridhënie: Ndjekja penale e pjesëtarëve të policisë, prokurorisë dhe Qendrës për Punë Sociale që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Zekajt.
Mbrojtje për viktimat: Sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave në rrezik.
Reagime dhe marshime të ngjashme solidarizuese janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Kosovës, përfshirë Pejën, Mitrovicën, Ferizajn dhe Istogun. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre. /E.A/
Foto – Ekonomia online
