Pas eliminimit në Ligën e Kampionëve në fazën e grupeve nga Bayern Munich, gjigandi katalunas Barcelona do të vazhdoj garat evropiane në Ligën e Evropës.
Por ky nuk është lajmi i vetëm jo i mirë për Barçën, ku pas ndeshjes me Bayernin janë konfirmuar edhe dy lëndime të tjera të lojtarëve në skuadër.
“Blaugranët” përmes një komunikate zyrtare në faqen e klubit e konfirmuan që sulmuesi Memphis Depay dhe mbrojtësi Jordi Alba kanë pësuar lëndime, dhe se rikuperimi do të vendos datën e rikthimit të tyre.
“Jordi Alba është duke pasur probleme me muskulin e tij të djathtë dhe nuk do të jetë i gatshëm deri sa të rikuperohet. Ai u zëvendësua në minutën e 31’ nga Oscar Mingueza në humbjen 3:0 nga Bayern Munich në Allianz Arena”, shkruante në faqen zyrtare të Barcelonës.
“Ndërkaq, Memphis Depay e ka lënduar bicepsin e tij në muskulin e këmbës së majtë dhe do të mungojë deri sa të rikuperohet. Memphis filloi ndeshjen nga minuta e parë dhe luajti 90 minuta, por qartazi kishte probleme me gjendjen e tij në fund të ndeshjes”, shkruante më tej në komunikatën e Barcelonës.
Ndeshja e radhës për skuadrën e Xavit do të jetë në La Ligan spanjolle, ku këtë të diele Barcelona është mysafire e skuadrës së Osasunas.