Protesta e mbajtur të dielën në Tiranë ka zgjatur rreth 10 orë dhe është shoqëruar me akte të rënda dhune, ku autoritetet e rendit kanë shoqëruar dhe arrestuar qindra studentë protestues. Përgjatë përplasjeve të ashpra, protestuesit i dhanë flakën Komisariatit Nr. 3, ngjarje ku mbetën të lënduar 10 efektivë policie.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, gjatë orëve të mbrëmjes një eskavator ka ndërhyrë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të hequr gurët dhe pllakat e trotuarit, të cilat u përdorën masivisht nga protestuesit për të qëlluar në drejtim të forcave të rendit.
Gjithashtu, policia reagoi lidhur me incidentin e regjistruar pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas versionit zyrtar të uniformave blu, një grup personash të maskuar u futën në ambientet e jashtme të godinës për t’iu shmangur ndjekjes policore, nga ku vazhduan sulmet ndaj efektivëve. /Euronews/
