Hetimet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve janë zgjeruar në një lokacion të tretë në Zubin Potok, gjegjësisht mes fshatrave Jabukë dhe Kalludër e Vogël.
Në këtë zonë janë pozicionuar autoritetet kosovare dhe ekspertët e EULEX-it, pasi në dy lokacionet e para u hasën mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e prokurores përgjegjëse, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertëve forenzikë.
Nga PSRK bënë të ditur se për shkak të fazës së ndjeshme nuk mund të japin detaje të mëtejshme rreth rezultateve deri në një njoftim të dytë. Deri më tani, lidhur me këto raste janë arrestuar tre persona nën dyshimin për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
