Komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varheyli, sërish ka cekur rëndësinë e dialogut Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja.
Varhelyi ka thënë se dialogu është kyç për rrugën evropiane të dyja shteteve. Varhelyi gjatë një Seminari mbi Ballkanin Perëndimor të organizuar nga kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve në Itali, Piero Fassino, ka cekur se BE-ja është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu ka insistuar se Komisioni Evropian qëndron prapa vlerësimit se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave.
“BE-ja është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka dyshim për këtë. Me Kosovën po shikojmë para të punojmë me institucionet e reja, presidenten, Qeverinë e Kuvendin. Shpresojmë të shohim më tepër stabilitet politik, në mënyrë që Kosova të shpejtojë në proces të reformave, si sundim të ligjit e zhvillim ekonomik e social. Po ashtu kyçe është që Kosova e Serbia të shohin dritaren aktuale të bëjnë përparim në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, që është me rëndësi kyçe për aspiratat evropiane. Duhet të rikujtojë rëndësinë e liberalizimit të vizave. Komisioni qëndron prapa vlerësimit se Kosova ka plotësuar gjitha kushtet, mirëpo vendimi është në Këshill. E inkurajojmë Kosovën të vazhdojë edhe bisedimet me shtetet e BE-së”, ka thënë Varhelyi.(Koha.net)