UBT News

“Varg e Vi” sjell artin bashkëkohor dhe humorin në Kamenica Summer Fest 2026

Pas prezantimit të suksesshëm ndërkombëtar me projektin “4 në 1” në Stamboll, Stokholm, Vjenë dhe Frankfurt të Gjermanisë, “Varg e Vi” solli një mbrëmje të veçantë artistike në kuadër të Kamenica Summer Fest 2026.

Në oborrin dhe amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë u ndërthurën piktura, fotografia, arti postdigjital dhe stand-up komedia, duke krijuar një atmosferë verore të mbushur me kreativitet dhe reflektim.

Ngjarjen e përshëndeti kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili u uroi mirëseardhje të pranishmëve që mbushën amfiteatrin.

Publiku pati mundësi të vizitojë ekspozitën me piktura të Din Azizit, fotografitë e Migjen Fazliut dhe veprat postdigjitale e konceptuale të Avni Rudakut, të vendosura në hapësirat e jashtme të institucionit kulturor.

Ekspozita fotografike “Memento Vivere” e Migjen Fazliut solli momente nga përditshmëria, traditat dhe kultura shqiptare, përmes fotografive të përzgjedhura edhe nga arkivi familjar i fotografit të ndjerë Muhamed Fazliu. Koncepti i ekspozitës, që nënkupton “Kujto të jetosh”, fton publikun të reflektojë mbi rëndësinë e jetës dhe kujtesës në periudha të vështira.

Ndërkohë, pikturat e Din Azizit me konceptin “Post-trauma” trajtuan pasojat psikologjike të luftës përmes portreteve të personazheve të rënduara nga vuajtja dhe kujtimet traumatike. Veprat paraqesin dhimbjen e përjetimeve njerëzore dhe ndikimin e tyre afatgjatë në kujtesë.

Në qendër të hyrjes së Shtëpisë së Kulturës u prezantua edhe arti postdigjital i Avni Rudakut me konceptin “Skrollokracia”, i cili përmes fotografive dhe elementeve vizuale paraqet transformimin e shoqërisë njerëzore nga epokat e hershme deri te ndikimi i teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe kulturës së rrjeteve sociale.

Mbrëmja u përmbyll me stand-up komedinë e Avni Shkodrës, i cili argëtoi publikun me rrëfime dhe batuta nga përditshmëria kosovare, vitet ’90, marrëdhëniet me mërgatën, raportet Kosovë-Shqipëri, si dhe ndryshimet shoqërore e kulturore ndër vite.

Projekti “4 në 1” në Kamenicë është financuar nga Komuna e Kamenicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër të thirrjes së përvitshme publike për organizatat joqeveritare kulturore./A.K/

Exit mobile version