José Mourinho nuk e ndali veten pas fitores dramatike të Fenerbahçes ndaj Trabzonsporit me rezultatin 3-2. Megjithatë, portugezi shprehu pakënaqësi të theksuar, jo për rezultatin, por për vendimet e gjyqtarëve, duke e drejtuar gishtin ndaj sistemit të VAR-it.
“Deri në një pikë, ne nuk e pamë Atilla Karaoglanin në fushë, por ai ishte njeriu më i rëndësishëm në ndeshje, duke qëndruar i padukshëm. Flas në emër të të gjithë tifozëve të Fenerbahçes. Nuk e duam këtë arbitër, as në VAR, as në fushë,” deklaroi Mourinho, duke e kritikuar ashpër “sistemin” e Ligës Turke.
Ai vazhdoi: “Kemi luajtur kundër kundërshtarëve të fortë, por gjithashtu kemi luajtur kundër sistemit. Kjo është gjëja më e vështirë. Ne po luftojmë kundër VAR-it, kundër sistemit. Kjo është arsyeja pse festojmë kështu. Fituam kundër njerëzve shumë të fortë.”
Mourinho u shpreh i zemëruar me ata që e sollën në Fenerbahçe, duke theksuar: “Jam i zemëruar me njerëzit e Fenerbahçes që më treguan vetëm gjysmën e historisë. Po të më kishin thënë të gjitha, nuk do të kisha ardhur në Fenerbahçe.”
Pas ndeshjes, ai bëri thirrje për një ndryshim strukturor në kampionatin turk, duke thënë: “Nëse gjërat ndryshojnë dhe sistemi bëhet më i fortë, atëherë fjalët e mia do të zhduken. Ndoshta te Fenerbahçe janë edhe më të vetëdijshëm për këtë situatë. Këto gjëra nuk janë të fshehura. Gjyqtari nuk dha asnjë penallti, por Karaoglan mezi priste t’i jepte të dyja penalltitë.”/UBTNews/