Temperaturat janë ngritur deri në mbi 40 gradë celsius në disa pjesë të Greqisë dhe nëpër pjesën më të madhe të rajonit. Ekspertët e motit në Athinë kanë thënë se presin që vala e të nxehtit të zgjasë deri javën e ardhshme, duke gjeneruar kushtet më të rënda atmosferike të regjistruara në vend që prej mesit të viteve ’80.
Një valë e vapës së padurueshme ka mbërthyer të enjten Evropën Juglindore, duke i intensifikuar zjarret dhe duke i detyruar qytetarët që të vërshojnë brigjet detare, shatërvanët publikë dhe lokalet me kondicioner ajri për të gjetur freskim.
Temperaturat janë ngritur deri në mbi 40 gradë celsius në disa pjesë të Greqisë dhe nëpër pjesën më të madhe të rajonit. Ekspertët e motit në Athinë kanë thënë se presin që vala e të nxehtit të zgjasë deri javën e ardhshme, duke gjeneruar kushtet më të rënda atmosferike të regjistruara në vend që prej mesit të viteve ’80.
Të paktën tre persona kanë vdekur në jug të Turqisë dhe me dhjetëra të tjerë janë hospitalizuar teksa vapa ekstreme verore dhe erërat e fuqishme kanë shkaktuar dy vatra të ndara zjarresh nëpër pyje.
Zjarret në Greqi rrezikojnë shtëpitë për të tretën ditë radhazi, teksa flakët raportohet se të enjten kanë mbërthyer edhe periferinë e qytetit perëndimor të Patras.
“Vala e vazhdueshme e vapës është një fenomen i rrezikshëm i motit, meqë do të zgjasë të paktën deri në javën e ardhshme me lëvizje të pakta temperaturash midis niveleve maksimale dhe minimale”, ka thënë Theodoris Kolydas, drejtor i Shërbimit Kombëtar grek të Meteorologjisë.
Autoritetet në Serbi, Bullgari, Bosnjë-Hercegovinë dhe në vendet e tjera të prekura kanë këshilluar qytetarët që ta shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë karshi rrezeve të diellit gjatë mesditës. Në Maqedoninë e Veriut gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç janë liruar nga puna deri në fund të javës, derisa kompanitë e ndërtimit janë urdhëruar që t’i ndalin punimet nga ora 11:00 deri në 17:00.
Ekspertët e klimës argumentojnë se moti ekstrem, si ai i fundit që ka nxitur përmbytje vdekjeprurëse në Gjermani dhe vala e vapës në Kanada e në perëndim të Shteteve të Bashkuara, pritet që të bëhen më të shpeshta, teksa ngritja e temperaturave globale krijon jostabilitet më të madh.
“Nëse mendojmë më globalisht, atëherë kemi pasur disa ngjarje shumë, shumë të rënda të motit së fundi, si temperaturat deri në 49.6 gradë celsius që janë regjistruar në Kanada”, ka thënë Mike Kendon, ekspert i lartë i klimës në Zyrën për Meteorologji në SHBA. “Kur shihni observime sikurse kjo, ato në shpien përtej asaj që kemi përjetuar e parë më herët. Një ngjarje sikurse kjo është thjesht e pamundur që të shpjegohet pa ndikimin e njeriut në sistemin klimatik”.
Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike të OKB-së, 2020-a ishte një prej viteve më të nxehta të regjistruara globalisht. Ishte njëherësh edhe viti më i nxehtë i evidentuar për Evropën./koha