UBT News

Valmir Matoshi transferohet te Sturm Graz për 1 milion euro

Reprezentuesi i Kosovës, Valmir Matoshi, është transferuar te skuadra austriake Sturm Graz.

Klubi austriak e zyrtarizoi të hënën transferimin e mesfushorit kosovar, i cili te Sturm Graz kalon nga Thuni për shumën e 1 milion eurove. Matoshi ka nënshkruar kontratë afatgjatë me klubin e ri.

23-vjeçari e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës te Thuni, ku është zhvilluar si futbollist dhe pjesë e ekipit të parë ishte që nga viti 2022. Në sezonin e kaluar, Matoshi u shpall kampion i Zvicrës me Thunin.

Pas transferimit, mesfushori kosovar ka shprehur kënaqësinë për kalimin te Sturm Graz, klub që këtë sezon do të garojë edhe në Ligën e Evropës.

“Sturm ka krijuar një emër shumë të mirë në arenën evropiane. Edhe këtë vit do të luajë në Ligën e Evropës dhe gjithmonë ka synime të mëdha. Këtë ma kanë bërë të qartë edhe në bisedat shumë të mira që kam pasur me drejtuesit sportivë në Graz. Prandaj, mund ta identifikoj plotësisht veten me këtë detyrë dhe këtë rol këtu”, deklaroi Matoshi.

I kënaqur me transferimin është shprehur edhe drejtori sportiv i Sturm Grazit, Michael Parensen.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që arritëm ta transferojmë Valmir Matoshin. Është një lojtar që vrapon jashtëzakonisht shumë dhe angazhohet maksimalisht, duke qenë shumë intensiv si në fazën e mbrojtjes, ashtu edhe në lojën me topin”, tha Parensen.

Matoshi deri tani ka zhvilluar dy paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa ka shënuar edhe një gol.

D.L

Exit mobile version