Në teatrin “Andon Zako Çajupi” u zhvillua mbrëmja poetike “Fajet e Zemrës”, një udhëtim artistik përmes vargjeve të autores Valbona Lola.
Poezitë e përzgjedhura nga vëllimi i saj i fundit, që flasin për jetën, dashurinë, prindërit dhe natyrën, u interpretuan nga aktorët Luiza Xhuvani, Alfred Trebicka, Zamira Kita, Violeta Banushi dhe Blerta Belliu.
Valbona Lola e përshkroi mbrëmjen si “një takim i zemrave”, ku poezia arrin tek publiku përmes zërit të aktorëve.

Ajo theksoi se dominonin lirikat e dashurisë, peizazhet, por edhe temat sociale dhe rebelimi ndaj padrejtësive, përfshirë edhe disa poezi kushtuar Korçës.
Aktorit Alfred Trebicka i pëlqeu sinqeriteti i poezisë së Lolës, duke e cilësuar atë si “poezi qytetare, e ngrohtë dhe e brishtë, që prek elementet bazike të shoqërisë dhe qenies njerëzore”.
Mbrëmja poetike u zhvillua për publikun korçar si pjesë e kalendarit festiv të fundvitit. /A.Z/UBT News/
