UBT News

Vaksinimi kundër Covid-19 nuk do të jetë obligativ për tifozët e Kupës së Botës, Katari kërkon vetëm një test negativ

Tifozët që marrin pjesë në Kupën e Botës në Katar duhet të tregojnë prova të një testi negativ COVID-19 pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit, thanë organizatorët në një deklaratë të enjten.

Të gjithë vizitorët e moshës 6 vjeç e lart duhet të paraqesin një rezultat negativ nga një test PCR i marrë brenda 48 orëve para nisjes së tyre ose nga një test të shpejtë antigjen të marrë 24 orë para mbërritjes, tha Komiteti Suprem për Dorëzimin dhe Trashëgiminë.

Rezultatet e testeve të shpejta do të pranohen vetëm nëse janë nga qendrat mjekësore zyrtare dhe jo të vetë-administruara. Nuk do të kërkohen teste të mëtejshme në Katar nëse vizitorët nuk shfaqin simptoma të COVID-19.

Vizitorëve të moshës 18 vjeç e lart do t’u kërkohet gjithashtu të shkarkojnë një aplikacion në telefon – i quajtur Ehteraz- për gjurmimin e kontakteve, aplikacion ky i drejtuar nga qeveria.

Tifozët do të duhet të mbajnë maska ​​në transportin publik, por vaksinimi nuk është i detyrueshëm.

Katari ka regjistruar më shumë se 440,000 raste të konfirmuara të COVID-19 dhe 692 vdekje nga virusi, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetit Publik./UBTNews/

Exit mobile version