E ardhmja mund të jetë një vend më i mirë për të jetuar, nëse është e vërtetë deklarata e kompanisë farmaceutike Moderna se shumë shpejt do të jemi në gjendje ta luftojmë kancerin dhe sëmundjet e tjera duke përdorur vaksinat.
Pol Burton, nga një drejtuesit e kompanisë, që u bë i famshëm gjatë pandemisë së Covid-19, deklaroi për britaniken “The Guardian”, se është i bindur se brenda vitit 2030 do të kemi vaksina kundër llojeve të ndryshme të kancerit, problemeve kardiovaskulare dhe shumë sëmundjeve autoimune apo sëmundjeve gjenetike të rralla.
Në fakt, teknologjia mRNA në vaksinat kundër Covid-19, i ka përshpejtuar kërkimet në këtëfushë.
“Unë mendoj se do të jemi në gjendje t’u ofrojmë njerëzve në gjithë botën vaksina të personalizuara kundër kancerit, të cilat funksionojnë për lloje të ndryshme kanceri”, tha Burton, duke shtuar se ato do të jenë “shumë efektive, dhe do të shpëtojnë qindra mijëra në mos miliona jetë”.
Kompania shpreson se do të ketë vaksinën brenda 5 vitesh për të nisur më pas fazën e testeve klinike.
“Na duhet vetëm të jemi në gjendje të identifikojmë me siguri shkakun gjenetik të një sëmundjeje”, thekson eksperti.
Kjo do të bënte të mundur shfrytëzimin e së njëjtës teknologji mRNA që është përdorur kundër Covid-it, për t’i mësuar qelizat e trupit tonë të prodhojnë proteinën e saktë, e cila do të jetë e aftë ta përdorë të gjithë sistemin imunitar kundër patologjisë që duam të luftojmë.
Në rastin e vaksinave të personalizuara të kancerit, gjithçka do të niste me një biopsi të tumorit të pacientit, e cila do të dërgohet në laborator për të identifikuar mutacionet gjenetike karakteristike të qelizave të sëmura dhe jo të pranishme në ato të shëndetshme.
Kjo do të çonte në fazën e përzgjedhjes, në të cilën një algoritëm identifikon se cilat mutacione nxisin rritjen e tumorit, dhe të cilat mund të stimulojnë përgjigjen e sistemit imunitar kundër tij. Në atë moment, mund të krijohet një molekulë mARN (ARN lajmëtare:materiali gjenetik që përmban udhëzimet për sintezën e proteinave të reja) që përmban recetën për krijimin e proteinave kryesore (antigjenet:njëlloj si proteina që vesh nga jashtë SARS-CoV– 2) që të shkaktojnë një përgjigje imune.
Pas marrjes së vaksinës, udhëzimet e përfshira në mRNA do të përdoren nga trupi për të prodhuar proteina identike me ato që gjenden në qelizat e kancerit. Sistemi imunitar do t’i përdorë ato për të mësuar se si të shkatërrojë çdo qelizë me ato karakteristika specifike, dhe në atë pikë do të aktivizohet për të eliminuar qelizat e sëmura.
I njëjti parim mund të përdoret edhe për përgatitjen e vaksinave kundër sëmundjeve të rralla deri tani të patrajtueshme, sëmundjeve autoimune apo atyre kardiovaskulare. Prandaj në të njëjtën të ardhme të afërt, mund të imagjinojmë që pacientët e brishtë ndaj infeksioneve respiratore të mbrohen nga patologji të ndryshme (për shembull nga Covid-19, gripi dhe virusi respirator sincicial) me një injeksion të vetëm.
Në janar të këtij viti, Moderna njoftoi rezultate shumë premtuese nga testi klinik i një vaksine mRNA kundër virusit sincicial. Kompani të tjera farmaceutike (si Pfizer–BioNTech) po punojnë gjithashtu për të shfrytëzuar teknologjinë mRNA kaq efektive kundër Covid–19 në fusha të tjera të kujdesit shëndetësor./Focus – Bota.al