Vaksina kundër virusit Human Papiloma (HPV), ka filluar të aplikohet në Kosovë për vajzat e klasave të gjashta qe nga shkurti, por ajo nuk po përfillet si duhet në mungesë të informimit të mjaftueshëm të prindërve mbi rëndësinë e saj. Në QKUK thonë se vaksinimi kundër HPV-së është i rëndësishëm, derisa nga komuna e Prishtinës thonë se deri më tash janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës në tri shkolla.
Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve intime dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës, andaj vaksina kundër këtij virusi ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave. Për momentin në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë vetëm klasat e gjashta në marrjen e kësaj vaksine.
Gjinekologia pranë Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), Pranvera Zejnullahu tregon për rëndësinë e kësaj vaksine, pasi me këtë fitohet imuniteti te vajzat dhe parandalohet paraqitja e formave para-kanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës.
“Pikë së pari, e di që është fillimi i vaksinimit dhe ka shumë pak informacione. Duhet të them se infeksioni me HPV është infeksioni më i shpeshtë në të gjithë botën, në kuadër të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Besohet që gjatë jetës, mbi 80 për qind, gjatë jetës e marrim një herë këtë virus. Disa tipa të viruseve që quhen tipa onkogjenike ose me risk të lartë, janë dokumentuar dhe shkencërisht të vërtetuar që janë shkaktarë kryesorë të tipave të caktuara të kancerit, posaçërisht te gratë në kancerin e qafës së mitrës, vagjinës, por nuk përjashtohen edhe karcinomat të tjerë te djemtë, tek organet gjenitale mashkullore, gjithashtu të gojës dhe të faringut… Është me rëndësi të vaksinohen kundër HPV, sepse duke marrë këtë vaksinë, ne bëjmë një imunitet të fituar te vajzat, por ka edhe shtete të caktuara që vaksinojnë edhe djemtë dhe në të cilën pastaj mundohemi që të parandalojmë paraqitjen e formave para-kanceroze dhe kancerit të qafës së mitrës. Kjo është tendenca për të paralajmëruar sëmundje para-kanceroze dhe kanceroze që shkaktohen nga tipat onkogjene të këtij virusi”, tha Zejnullahu.
Drejtori komunal i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku ka bërë të ditur se deri më tani janë vaksinuar gjithsej 120 nxënës të klasave të gjashta në tri shkolla.
“Human Papilloma Virus është një vaksinë, e cila mbron infeksionin nga HPV, i cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. 99 për qind të kancerit të qafës së mitrës te femrat e shkakton ky virus, ndërsa kanceri i qafës së mitrës sot vazhdon të jetë kanceri i dytë në nivel global te femrat pas kancerit të gjirit, ndërsa në vendet e zhvilluara është kanceri numër një. Kjo vaksinë mbron mbi 90 për qind nga infeksioni me këtë virus. Ne kemi filluar para një jave në Prishtinë dhe janë vaksinuar 120 nxënës të tri shkollave. 1:39 Ne nuk kemi pasur doza për përfshirjen edhe të fëmijëve të tjerë, do të përfshihen vetëm klasat e gjashta. 01:53 Qëllimi i vaksinimit është vaksinimi para periudhës seksualisht jo aktive të femrave, duke parasysh se ajo krijon një imunitet dhe pastaj kur të hyni në jetën aktive seksuale të keni mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje”, ka thënë Sadiku.
Sekretari i Këshillit të prindërve, Enver Balaj, thotë se prindërit nuk kanë informacione të mjaftueshme rreth vaksinës HPV. Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të shqyrtojnë mundësinë e vaksinimit të të gjithë fëmijëve për shkak të kontrolleve mjekësore të pamjaftueshme.
“Jam në dijeni dhe shumë pak kam informacione rreth vaksinës HPV, por mendoj që është shumë e domosdoshme të vaksinohen të gjithë fëmijët tonë edhe me HPV dhe kundër hepatitit C. 00:38 Te ne në Kosovë nuk ka shumë kontrolle. Mendoj që shumë e rrugës do të ishte ndërmarrja e një iniciative në këtë lëmi. 00:58 Kishte qenë mirë që Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë të ndërmarrin një iniciativë për të shqyrtuar mundësinë për t’i vaksinuar të gjithë fëmijët e Kosovës, sepse te ne nuk ka kontrolle, as prindërit nuk kanë, as fëmijët. Është shumë e rrugës të ndërmerret kjo iniciativë dhe të veprohet diçka në këtë lëmi”, është shprehur ai.
Edhe drejtori i shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, Ismet Gashi, thotë se prindërit kanë mungesë të informimit mbi vaksinën kundër HPV-së, në mënyrë që ata ta kuptojnë rëndësinë e saj. Ai thotë se me Qendrën familjare në Fushë Kosovë janë dakorduar që të bisedojnë serish me prindërit në lidhje me këtë çështje.
“Vaksinimi është kryer para një jave, mirëpo është një numër i vogël i nxënësve pasi kanë hezituar të marrin këtë vaksinë. Ndoshta ka qenë edhe një mungesë e informimit të mjaftueshëm qoftë përmes mediave apo formave të tjera të informimit që ata ta kuptojnë peshën dhe rëndësinë e kësaj vaksine. Krejt qëllimi është që të mbrohet shëndeti i fëmijëve tanë. 07:57 Dilema ka qenë gjithherë dhe është një propagandë negative, e cila menjëherë i ka frikësuar pak sado kjo mëdyshje pastaj ka mbetur pezull dhe ata kanë hezituar të marrin këto vaksina. Ndoshta mungesa e mjaftueshme e profesionalizmave që të na bindin se vërtet ka rëndësi dhe vlerë kjo vaksinë. Të gjitha paralelet, por një grup i vogël i nxënësve në disa paralele kanë hezituar të marrin vaksinën… Kam biseduar edhe me drejtorin e Qendrës familjare në Fushë Kosovë dhe jemi dakorduar që pas dy-tri javësh edhe njëherë do të bashkëbisedojmë me prindër”, tha Gashi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje për vaksinim kundër HPV-së për ta parandaluar kancerin e qafës së mitrës dhe sëmundjeve tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksinat kundër HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.