Kreu i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se sigurimi i vaksinës anti-Covid është vonuar.
Sipas Jakupit, Qeveria duhet që ta bëjë prioritet sigurimin e kësaj vaksine jo vetëm në formë donacioni, por edhe me blerje.
“Vaksina tashmë është e vonuar në Kosovë. Ne tashmë jemi në muajin mars të vitit 2021 dhe shumë shtete botërore edhe rajonale kanë filluar vaksinimin. Përqindjet janë të ndryshme dhe kjo do të thotë që në nivel të qeverisë duhet t’i jepet një prioritizim edhe në këtë rast shumë strikt në sigurimin e vaksinës. Ne kemi disa mekanizma për të cilët janë bërë përpjekje për të siguruar dhe ajo që tashmë po presim është që përmes mekanizmit Covax u tha se vetëm një sasi e vogël e vaksinave do të vijë. Prandaj do të ishte mirë që qeveria të organizohej dhe t’i jepte një prioritet sigurimit të vaksinës jo vetëm nga donacioni, por edhe blerjes së dozave të vaksinave që do ndihmonin shtresat e ndryshme të popullatës, duke përfshirë fillimisht profesionistët shëndetësor”, është shprehur ai.
Tutje Jakupi ka thënë për EO se Kosova duhet të ketë kujdes që furnizimin me barna dhe vaksina ta bëjë vetëm nga ato agjenci që bëjnë vlerësimin dhe japim autorizim strikt.
“Janë shtete të fuqishme që kryejnë procedura shumë strike për regjistrim barnash dhe kjo do të thotë se në rast se një produkt i caktuar përfshirë në këtë rast vaksinën regjistrohet në ndonjë nga këto agjenci, ne kemi një besueshmëri shumë të madhe se ato produkte kanë kaluar nëpër filtra që janë vlerësuar më shumë kujdes para autorizimit për marketing. Edhe tek ne në Kosovë do të ishte mirë që agjencia jonë përderisa po flasim për një vaksinë për të cilën edhe të dhënat nuk janë të kryera dhe autorizimi për marketing është i kushtëzuar në shumë vende të botës, të bazohet në aprovimin e këtyre agjencive strikte rregullative për të dhënë të drejtën e përdorimit në Kosovë”, ka shtuar ai.
I pari i Odës së Farmacistëve po ashtu ka cekur edhe agjencitë e besueshme, ku në nivel të BE-së ka veçuar EMA-n, kurse në Amerikë FDA-n.
“Ka disa mekanizma të cilët janë mbrojtës për popullatat e ndryshme dhe fillimisht në shtetet kudo në botë edhe në Kosovë ekzistojnë agjencitë për rregullativën e barnave, pra tek ne është agjencia e Kosovës për produkte dhe pajisje medicionale kurse në vendet tjera në nivel të BE-së është EMA, në Amerikë është FDA. OBSh-ja ka një mekanizëm të kontrollit të këtyre agjencive botërore për kryerjen dhe vlerësimin e procedurave të cilat kompanitë prodhuesve të barnave i aplikojnë në dosjet e tyre dhe mënyrën se si këto agjenci bëjnë vlerësimin dhe sa strikte janë me procedurat e tyre. Në këtë drejtim OBSh-ja ka bërë vlerësimin dhe ka dhënë një aprovim për agjencitë strikte rregullatore”, ka thënë ai.
Jakupi edhe një herë ka përsëritur gatishmërinë e farmacistëve për asistim në procesin e vaksinimit pas ardhjes së vaksinës ani-Covid në vend.
“Kapacitetet për vaksinim ekzistojnë kudo në botë natyrisht që ka pasur shumë mungesë të profesionistëve shëndetësor apo të institucioneve dhe për këtë arsye në shtetet e ndryshme botërore janë angazhuar edhe barnatoret pra farmacistët në barnatore që të bëjnë vaksinimin e popullatës. Sidoqoftë pavarësisht asaj në Kosovë ne nuk e dimë ende sa do të jetë numri i vaksinave që do të vijnë por në rast se do të ketë nevojë për profesionit shtesë farmacistët janë të gatshëm që të asistojnë për të lehtësuar barrën e vaksinimin”, ka përfunduar për EO Arianit Jakupi.