UBT News

Vajzat afgane i kthehen mësimit online, por përballen me internet të dobët

Sofia kyçet në një kurs të gjuhës angleze online, që po mbahet nga një prej disa institucioneve arsimore të cilat po përpiqen të kontaktojnë vajzat dhe gratë afgane në mënyrë digjitale në shtëpitë e tyre. Por kur mësuesja i kërkon asaj të lexojë një fragment, ekrani i kompjuterit të saj ngrihet.

“A po më dëgjoni?”, pyet ajo vazhdimisht, teksa e kontrollon internetin.

Pas pak kohësh, kompjuteri i saj ‘kthehet në jetë’.

“Si zakonisht”, psherëtin një kolege e frustruar si pasojë e internetit të dobët.

22-vjeçarja Sofia është njëra nga gratë afgane që shfrytëzon internetin për të studiuar pas kufizimeve të talibanëve.

Zyrtarët talibanë, duke përmendur ato që ata i quajnë probleme që lidhen me veshjen islame, kanë mbyllur shkollat e mesme të vajzave, kanë ndaluar hyrjen e tyre në universitete dhe ua kanë ndaluar punën në organizata joqeveritare shumicës së grave.

Një nga ndryshimet më të habitshme qëkur talibanët morën pushtetin nga viti 1996 deri në vitin 2001, ndodhi me shpërthimin e internetit. Praktikisht askush nuk kishte qasje në internet kur talibanët u rrëzuan nga pushteti vetëm disa javë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Administrata e talibanëve ua ka mundësuar vajzave të studiojnë individualisht në shtëpi si dhe nuk ka ndërmarrë hapa për ta ndaluar përdorimin e internetit, meqë zyrtarët e përdorin atë për të dhënë njoftime përmes rrjeteve sociale. Por vajzat dhe gratë përballen me një sërë problemesh nga ndërprerjet e energjisë elektrike, deri te shpejtësitë e ngadalta të internetit, e lëre më koston e kompjuterëve dhe Wi-Fi në një vend ku 97% e njerëzve jetojnë në varfëri.

Sakina Nazari filloi mësimin online të gjuhës nga shtëpia e saj në perëndim të Kabulit për një javë pasiqë u detyrua të largohej nga universiteti gjatë muajit dhjetor. Megjithatë ajo është e zhgënjyer meqë përballet me probleme.

Disa afganë kanë filluar t’i bëjnë thirrje shefit ekzekutiv të SpaceX, Elon Musk, që të prezantojë shërbimin e internetit satelitor Starlink në Afganistan, siç ka bërë në Ukrainë dhe Iran, përmes Twitterit.

Daniel Kalmanson, zëdhënës i faqes së Universitetit të Popullit, që ka pasur mbi 15 mijë aplikime nga vajza dhe gra afgane qëkur talibanët morën pushtetin, tha se studentët mund të mësojnë në çdo kohë, si dhe profesorët u dhanë afate shtesë për detyra dhe provime kur studentet përballeshin me probleme të internetit./UBTNews/

Exit mobile version