Sulmuesi shqiptar, Myrto Uzuni në një konferencë për media ka folur për rëndësinë që ka ndeshja e radhës kundër Izraelit, si dhe ka zbuluar fjalët e trajnerit Edoardo Reja drejt tij.
Kombëtarja e Shqipërisë ka vazhduar me konferencat për media para ndeshjes me Izraelin, ku sot u paraqitën dy sulmuesit, Armando Broja dhe Myrto Uzuni.
Uzuni u shpreh se ndeshja kundër Izraelit është e rëndësishme, dhe se fitorja është e vetmja rrugë për të shkuar drejt objektivit të Shqipërisë.
“Presionin e ndjejmë gjithmonë, pasi nëse nuk ka presion, loja nuk bëhet e bukur. Luajmë në shtëpi, ndaj Izraelit, një ekip që mendoj se është më lart se Islanda, por nëse jemi të bashkuar dhe japim maksimumin, fitorja është e vetmja rrugë për të shkuar drejt objektivit tonë”, tha Uzuni.
Më tej, sulmuesi i Granadas zbuloi edhe bisedën që kishte me trajnerin Edoardo Reja, ku tregoi se ai kërkon që të ketë në dispozicion vetëm lojtarët më të mirë.
“Trajneri pret gjithmonë më të mirën, të ketë lojtarët më të mirë në dispozicion. Siç e thashë edhe më parë, kemi një ekip shumë të mirë, me lojtarë shumë të mirë. e vetmja gjë është të jemi të bashkuar dhe të fitojmë ndeshjen e t’i japim kënaqësi tifozëve tanë të cilët do të vijnë për të na parë”, tha Uzuni.
Për fund, Uzuni tregoi edhe objektivin për ndeshjen ndaj Izraelit, ku tregoi se tre pikët janë gjëja kryesore të cilën e kërkon Kombëtarja e Shqipërisë.
“Kur luan futboll, gjithmonë shanset janë të mëdha. Kemi ekip me kualitet, të gjithë lojtarët luajnë në ekipe shumë të mira. E rëndësishme është fitorja, ky është objektivi ynë kryesor. E pamë ndeshjen ndaj Islandës, për mua ishte emocion ta shihja ndeshjen nga televizori sa të isha atje. Tani grupi u plotësua i gjithi, përveç mungesës së Roshit, që ndihet pasi ka qenë gjithmonë aty për ekipin. Por tani mendojmë vetëm për fitore, as barazim, as humbje. Do hymë në fushë me këtë ide”, tha Uzuni.
Kombëtarja e Shqipërisë i rikthehet aksionit këtë të premte, ku do të përballet në shtëpi, në stadiumin “Air Albania” me Izraelin.